10 ide të veçanta për dekorin e festave

 




Një tjetër shkrim në blog🙂

Dhjetori është muaji i festave dhe si i tillë mbizotëron atmosfera festive. Në këtë javë të parë të muajit, siç është bërë traditë, fillojmë të vendosim zbukurimet e para në shtëpi, zyrë dhe kudo. Ngjyrat festive janë shpresëdhënëse dhe të bukura.

Bredhi është një traditë e vjetër e kësaj periudhe. Zbukurimet për të janë të ndryshme dhe ripërdorën vit pas viti. Ndërkohë mund të dekorojmë edhe në mënyra të tjera. Ja disa ide:

Lulja Poinsettia është më e preferuara e festave. Një vazo e vogël me këtë lule kaq të bukur do t`i jepte gjallëri gjithë ambjentit. Kujdesi për të është i thjeshtë e nuk kërkon shumë kohë.


Figurinat e vogla: Një sugjerim i veçantë për festa është edhe vendosja e figurinave prej materialeve të ndryshme. Nuk është e nevojshme të kemi një koleksion të tërë. Disa figurina mbi komodinë do të dukeshin shumë bukur.

Eksperimentimi me ngjyrat: Veç disa ngjyrave klasike, e kemi të vështirë të zgjedhim ngjyrat e tjera për festa. Një ide ndryshe është përzgjedhja e ndonjë elementi dekorativ në ngjrën jeshile, blu ose rozë.


Miksim qirinjsh: Qirinjtë e thjeshtë ose aromatikë janë shumë të këndshëm. Një sugjerim për këtë fundvit është miksimi i qirinjve dhe mbajtëseve të tyre, për t`i dhënë dhomës një tjetër estetikë.


Copat me motive festive:
Megjithëse do përdorën vetëm disa javë, ia vlen të zgjedhim copa me motive festive. Mund t`i përdorim mbi kolltuk ose në tavolinë si mbulesë.


Varëse te dyert:
Shtojnë atmosferën festive të shtëpisë. Mund të përgatiten shumë thjeshtë edhe vetë, me pjesë të mbetura dekorimesh.


Dekorimet metalike: Në pjesë të caktuara të shtëpisë mund të vendosim dekorime metalike. Janë të këndshme dhe trendy.



Boçe pishe : Një element natyral që mund të shtohet te dekori është boçja e pishës. Ka shumë mënyra për ta përdorur: te pema, në tryezë ose në një kënd me qirinj.


Në kuzhinë: Filxhanët ose pjatat  me ngjyra e pamje festive mund t`i përdorim për të shijuar gatimet ose pijet e preferuara. Janë praktike dhe të veçanta.



 Stili minimalist: Ka një zgjidhje edhe për njerëzit që nuk i pëlqejnë dekorimet e mëdha. Minimalizmi është stili që u përshtatet më së miri. Në këtë rast mund të zgjidhen elemente dekori të vogla e të thjeshta.



Shkrime të tjera  ✍️    https://notesofiris.blogspot.com/





Comments